Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Konkurrimi i zhytjes në kosh në NBA ka qenë gjithmonë një spektakël ku kanë shkëlqyer të tillë si Majkëll Xhordan, Dominik Uilkins apo Kobi Brajant, veçse këtë herë ndodhi një e papritur e madhe. Kampioni i ri është një yll që nuk është aspak pjesë e ligës më të fortë të basketbollit në rruzull. Fitues doli Mak Mekklang, 24-vjeçari që vërtet është përzgjedhur nga Filadelfia, por që luan në një derivat të NBA-së, që quhet G-Ligë.
Mekklangu, që mban veshur fanelën e Delëuer Blu Koutsve, shkëlqeu në mënyrë të jashtëzakonshme në Arenën e Jutës, duke realizuar një zhytje në kosh me një rrotullim prej 540 gradësh, jo 360 gradësh siç është normale. Ai ia doli nga Trej Marfit të Nju Orlinsit në konkurrimin e fundit duke marrë vlerësimin maksimal prej 100 pikëve. Edhe pse aspak shtatlartë për standardet e basketbollit, vetëm 1 metër e 88 centimetra, Mekklang e sulmoi koshin në mënyrë të përsosur, ndërsa më pas u shpreh i lumtur që NBA ia dha mundësinë të merrte pjesë në një konkurrim të tillë. Analistët theksuan se fitorja e jutjuberit i ktheu Zhytjes në Kosh magjinë dhe interesin e dikurshëm.
Sfidanti.al