Rrahmani drejt kontratës së re me 2.5 milionë euro tek Napoli!

Një ekip ka nevojë edhe për lojtarë të tillë që të fitojë. Shpesh flitet për sulmuesit apo numrat 10, por Amir Rrahmani po tregon tek Napoli se edhe mbrojtësit kanë rëndësi të madhe, dhe për këtë arsye klubi italian është gati t’i japë kontratën e re. Në një sezon të shkëlqyer për të dhe për skuadrën, futbollisti shqiptar nga Kosova do të zgjasë aventurën e tij në stadiumin “Maradona”. Akordi i tanishëm vlen deri në 2024, ndërsa e përditshmja “Il Matino” shkruan se rroga në marrëveshjen e ardhshme do të jetë 2.5 milionë euro plus bonuse, ndonëse nuk dihet kohëzgjatja.

Rrahmani do të luajë këtë fundjavë ndeshjen e 100-të në Serinë A për ekipin e dikurshëm të Maradonës, për të cilin ka shënuar 6 gola e ka shërbyer 2 asistë. Këtë edicion, napolitanët janë në vendin e parë në kampionat, të shkëputur 13 pikë nga Interi dhe po shkojnë të sigurt drejt titullit, që do të ishte i pari që nga epoka e Maradonës. Futbollisti nga Kosova ka realizuar një rritje të madhe në karrierë, që kur ishte tek Partizani në Superligën shqiptare nga 2013 deri në 2015, e pastaj në Ligën e Parë të Kroacisë për RNK Splitin, Lokomotivën dhe Dinamon e Zagrebit.

Sfidanti.al