Mediat italiane i thurin lavde “Mbretit” Lautato Martinez!

Paraqitje e madhe, kënaqësi gjithashtu e pamasë, por mëkat që janë aq larg kreut. Futbollistët e Interit fituan një derbi ndaj Milanit në Serinë A, të luajtur shumë më mirë edhe sesa triumfi 3-0 në finalen e Superkupës pak ditë më parë, dhe natyrisht jehona ishte e madhe. Ashtu siç ishte parashikuar, derbi luhej për të shpëtuar sezonin dhe zikaltërit forcuan pozitat në vend të dytë, pra duke qenë më mirë të vendosur në zonën Champions, veçse habia është e madhe që kjo skuadër ndodhet plot 13 pikë larg Napolit kryesues. Ndaj atij Napoli që jo shumë ditë më parë e mundi në “San Siro”. Inzagi u pyet se për çfarë u ndje më shumë krenar?

“Për mënyrën sesi luajtën lojtarët, sesi e interpretuan derbin pak ditë pas një sfide shumë impenjative ndaj Atalantës në Kupë, – tha ai, – Ishte një paraqitje e madhe. Dominuam plotësisht. Një kënaqësi e madhe për mua si trajner. Për më tepër, ku fiton dy derbi në 20 ditë dhe kur shton një tjetër trofe në kabinetin tonë të trofeve, kjo të jep edhe më shumë kënaqësi”.

“Mbreti Lautaro”, konfirmon “La Gazeta delo Sporti”, derbi zikaltër. Kapiteni i ri është i papërmbajtshëm. Milani nuk bën asnjë gjuajtje! Për “Il Korriere delo Sportin” Interi nuk dorëzohet, që do të thotë se mendon ende titullin. Inzagi e mund sërish Milanin! Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, deklaroi se për momentin kuqezinjtë nuk janë skuadra që ishte sezonin e kaluar, ndërsa ishte më shumë i shqetësuar për pjesën e parë. Ai nxiti lojtarët që të reagonin për të shpëtuar sezonin. Interi ka 43 pikë në vend të dytë ndaj 56 të Napolit, ndërsa Milani është i gjashti me 38.

Sfidanti.al