Një sukses nga ata që mund të të japin titullin. Tirana e tregoi veten edhe një herë si skuadra më e fortë e Abisnet Superligës, të paktën deri tani dhe sidomos në aspektin psikologjik. Kryeqytetasit, kampionë në fuqi të vendit, fituan 2-1 në fushën e Egnatias, edhe pse vuajtën shumë. Bardheblutë shënuan golat me anë të Përgjonit dhe pastaj me 11-metërshin e Hasanit, ndërsa vendasit barazuan përkohësisht me anë të Duamenës. Ekipi i trajnerit Orges Shehi përballoi edhe mungesa si ato të Abazajt apo ish-kapitenit Ismailgeci, ndërsa blerja tjetër, Regi Lushkja, u aktivizua vetëm për 20 minuta. Kjo fitore bëri që tiranasit të arrijnë në 37 pikë në krye të Superligës, duke mos rrezikuar vendin e parë, e duke pasur më shumë besim për mbrojtjen e titullit. Golat erdhën shpejt, dhe pas 10 minutave rezultati ishte 1-1, ndërsa suksesi u sigurua që në 66’. Interesant fakti se në minutat shtesë Tirana u detyrua të luante me 10 lojtarë dhe pa portier të vërtetë. Bekaj u dëmtua dhe në vend të tij në portë u fut golshënuesi Përgjoni, që është lojtar i krahut të majtë. Ai bëri pritje dhe mbrojti rezultatin.
Sfidanti.al