“Lufta” vazhdon edhe jashtë fushës: Nasri e quan Vardin mashtrues

Lester Siti arriti që të bëjë një përmbysje në një të tetën e Ligës së Kamapioneve me Seviljen spanjolle, duke u kualifikuar në çerekfinale të saj, por në sy, në ndeshjen e kthimit, ra incidenti që përfshiu lojtarin e Seviljes, Sami Nasri, dhe sulmuesin e Lesterit, Xhemi Vardi. Futbollisti francez, sikurse dihet, mori karton të kuq, duke qenë se Vardi e provokoi atë bukur, duke shfrytëzuar një moment nervozizmi të tij, dhe si, pasojë, ekipi spanjoll luajti në 20 minutat e fund me një lojtar më pak. Nasri nuk e fshehu zemërimin e tij në fushë dhe donte që t’i lante menjëherë hesapet me Vardin, kurse, tani, lufta verbale po vazhdon edhe jashtë fushës, duke pasur parasysh deklaratat e të dy futbollistëve.

“Vardi është një mashtrues i madh. Nëse do të ishte një lojtar nga ndonjë vend tjetër, pra, jo nga Anglia, i gjithë shtypi anglez do ta quante atë një mashtrues të madh. Ai është një futbollist që luan me kombëtaren, atij nuk i takonte që të bënte atë që bëri. Mendoja se anglezët janë më të fortë në këtë drejtim. Ishte ai që ma futi fytyrën e tij tek e imja dhe unë nuk e preka aspak, kurse ai ra në tokë, sikur dikush e kishte kositur më kosë”, tha Nasri, duke shtuar se “ai ma futi mjaft bukur”. Vardi reagoi menjëherë, duke deklaruar se “unë nuk jam mashtrues dhe, asnjëherë, nuk kam qenë i tillë në karrietën time. Nuk dua që ta vazhdojë këtë temë, nuk do të rri që të shpjegoi se çfarë ndodhi dhe sesi ndodhi”, deklaroi Vardi.