Është në një seri të shkëlqyer që mund t’i japë suksesin përfundimtar. Barcelona duket krejt tjetër, në krahasim me disa muaj më parë, dhe fitorja në fushën e Betisit i dha titullin e kampionit të dimrit në Spanjë. Skuadra katalanase ia doli 2-1 në një stadium të vështirë, dhe pas një dueli tepër të fortë, ku vendasit nuk u dorëzuan deri në fund. Rafinja dhe Robert Levandovski ishin autorët e golave për miqtë, që kryesuan 2-0, por një autogol në minutat e fundit vuri gjithçka në dyshim. Gjithsesi, fitorja ishte e merituar, pasi Barça dominoi në zotërimin e topit, dhe po ashtu në gjuajtjet drejt portës apo në goditjet nga këndi. Ky ekip është tepër larg nga ai i vjetshmi që nuk fitoi dot asnjë trofe, apo nga ai i vjeshtës së kaluar që u eliminua në Champions që në fazën e grupeve.
Trajneri Ksavi Hernandez deklaroi pas ndeshjes se nuk i pëlqente të fliste për titullin përderisa është ende gjysma e kampionatit për t’u luajtur, ndërsa shtoi se skuadra e tij duhet të vazhdojë të luajë në të njëjtin nivel deri në fund. Barcelona ka 50 pikë pas 19 javëve, për momentin 8 pikë mbi Realin e Madridit, por që ka një ndeshje më pak. Kampionët e Spanjës do të përpiqen ta ngushtojnë diferencën në ndeshjen e sotme ndaj Valencias.
Sfidanti.al