Sezonin e kaluar pati një trajtim vërtet të keq kur e dëbuan nga turneu i madh i parë i vitit. Novak Gjokoviçi kaloi nga një “purgator” në “ferr”, por “grushtat e jetës” janë pikërisht për njerëzit dhe ja ku jemi një vit më vonë në të njëjtin vend. Tashmë, Melburni nuk është “vendi i krimit”, por Arena më e madhe e karrierës së tenistit më rezistues që njeh historia e këtij sporti. Gjokoviç e nisi me fitore sezonin e ri të Australian Openit, ku është favorit për të fituar titullin e parë Grand Slem të vitit dhe të 10-in në histori. Suksesi ishte 3-0 ndaj spanjollit Roberto Karbajes Baena (6-3, 6-4, 6-0) në diçka më shumë se dy orë. Publiku në “Rod Lejvër” e priti si hero dhe ky ishte shpërblimi më i mirë për yllin nga Serbia. Problemi më i madh për momentin për Nolen është dëmtimi në këmbë, dhe nuk dihet nëse do të mundë të rezistojë fizikisht deri në fund.
Sfiadnti.al