Klopi: Nuk mbaj mend ndeshje më të dobët, përgjegjësia ime!

E pranon edhe vetë se është pika e tij më e ulët. Jurgen Klopi i thirri kujtesës dhe nuk gjeti asnjë paraqitje të ekipeve të tij që të krahasohet për keq me atë që Liverpuli bëri në fushën e Brajtonit në Premier Ligë. Disfata 0-3 qe jo vetëm e merituar, por gjithashtu ishte një vazhdimësi e krizës së këtij sezoni. Tashmë, në vendin e 8-të renditjes, të kuqtë jo vetëm që vështirë të luftojnë për titull, duke qenë tepër prapa Arsenalit, por rrezikojnë edhe kualifikimin për në Champions. “Unë nuk jam i sigurt plotësisht, por unë nuk mund të mendoj një ndeshje më të dobët në karrierën time, – tha ai, – Jo vetëm tek Liverpuli. Unë nuk mbaj mend ndeshje tjetër si kjo. Dhe kjo padyshim që është përgjegjësia ime”. Çfarë po ndodh me nënkampionët e Anglisë dhe të Europës? Analistët si Xhemi Karrager, Geri Nevil apo Roi Kin, besojnë se skuadra është lodhur nga sezoni i kaluar kur u kërkuan 4 trofe, dhe në fund u humb finalja e Championsit dhe Premier Liga për vetëm 1 pikë. Sa larg duket kjo gjendje nga kulmet e viteve 2019 e 2020 kur Liverpuli fitoi Championsin dhe më në fund Premier Ligën pas një pritjeje 30-vjeçare.

Sfidanti.al