San Antonio vendos rekordin e tifozëve në NBA!

U desh të kalonte një çerek shekulli që të tejkalohej historia. San Antonio Spërsat vendosën një rekord të ri të spektatorëve në basketbollin amerikan, duke pasur mbi 68 000 në Arenë për sfidën kundër Golden Stejtit. Saktësisht ishin 68 323 tifozë, duke lënë pas rekordin e vjetër të vendosur nga Çikago Bullsat e Majkëll Xhordanit në 1998, me 62 046 spektatorë. Ndeshja ndaj kampionëve në fuqi të NBA-së u luajt në Arenën e vjetër “Alamodom”, në kuadër të festimeve për 50-vjetorin e themelimit të klubit. Pikërisht në këtë Arenë, Spërsat fituan titullin e parë të tyre në histori në 1999.

San Antonio kishte organizuar një ceremoni të madhe përpara nisjes së sfidës, në të cilën folën trajneri legjendar Greg Popoviç dhe ish-ylli i ekipit, Dejvid Robinson. Për fat të keq, kremtimet nuk përfunduan siç duhet sepse Golden Stejti arriti një fitore të thellë, me rezultatin 144-113. Në të vërtetë, Skuadra nga Teksasi po kalon njërin nga sezonet më të këqija në historinë e basketbollit amerikan duke qenë në vendin e parafundit në Perëndim, por kjo nuk i pengoi tifozët që të vendosnin rekordin e ri.

Sfidanti.al