Ku e gjetëm Silvinjon? Duka me sy mbyllur godet ..hartën e botës!

Si u gjet trajneri brazilian Silvinjo për Kombëtaren? Ka lloj teorish se si presidenti i FSHF, zoti Armand Duka vendos trajnerët e huaj për Kombëtaren e Shqipërisë. Disa thonë se presidenti mbyll sytë me një shall kuqezi dhe godet hartën e Botës me një shigjetë, tamam si në sportin e Darts, dhe në vendin ku bie shigjeta gjen edhe ..trajnerin. Një tjetër hipotezë, që ka fituar trendin e modës kohët e fundit është se trajnerin nuk e zgjedh më presidenti, por është bërë pjesë e halleve të “qeverisë”.
Më konkretisht, është vetë zoti Rama që po ndihmon Dukën që pas afro 20 vitesh në fron, po “mëson” nxënësin e tij te keq, se trajnerin mund të ta sjellin edhe nga lart dhe jo vetëm nga..poshtë!

Ka të tjerë që kanë zbuluar “gralin sekret” se si presidenti Duka fluturon nga Italia e De Biazit, Panuçit dhe Rejës në një Kontinent tjetër, në Amerikën e Jugut, për të zbuluar trajnerin Silvinjo ! Cila është kjo teori? Presidenti, që për fatin tonë të zi, që me futbollin nuk e lidh pasioni , por shpirti merkantil ( i panginjur ose i pangopur) sa herë dështojmë me trajnerin dhe fillon e “lodhet” me muaj të tërë për të gjetur viktimën e ardhshme, ka merak që populli të gjejë veten , shijen e tifozerisë, tek origjina e trajnerit.

Dhe menu-ja po plotësohet : për tifozët me Gjermaninë peshkuam Brigellin, për ata me Hollandën gjetëm Hanin, për shumicën që ishin me Italinë u ndez cikli me De Biazin, Panuçin dhe Rejën, dhe në fund, si qershia mbi tortë, për ata që ishin me Brazilin, parashutoi Silvinjo me një ndihmës argjentinas, Zabaletën, për të plotësuar gjithë shijet e botës sonë të trazuar me tifozerinë…
Sfidanti.al