Edhe pse është 38 vjeç tashmë (i mbush nesër), nuk dëshiron të dorëzohet dhe të dalë në pension. Po ashtu, Lebron Xhejmsit nuk i shkon në mendje që të luajë thjesht për qejf apo vetëm për të thyer rekordin e pikëve në NBA. Kampioni i madh u ndje shumë i mërzitur dhe i dëshpëruar pas humbjes së rëndë të Lejkërsave në fushën e Majemit. Shifrat ishin 112-98, në një dorëzim të kalifornianëve me gjithë 27 pikët e Lebronit, 9 topat në tabela e 6 asistët. “Unë luftoj për titullin kampion, – tha ai më pas, – unë jam në formë dhe nuk e di sesa lojtarë të tjerë në këtë kampionat kanë qenë në këtë nivel në moshën që kam unë”. Ai ka 30.1 pikë për ndeshje mesatarisht, diçka që askush nuk e ka bërë, as Majkëll Xhordani, as Karim Abdul Xhabari, ndërsa Karl Malouni ishte më afër me 23.2 e Xhulius Irvingu me 20.2. Me gjasë, Lebroni mund të kërkojë largimin nga Lejkërsat nëse ky ekip nuk ia jep mundësinë për titull, dhe për momentin nuk po ia jep me bilancin 14 fitore e 21 humbje!
Sfidanti.al