Shumë nga betejat në distancë, luftërat psikologjike, në këtë botë ku jetojmë janë sipas një skeme të caktuar. Protagonistët duan të bëjnë sa më shumë zhurmë, të tërheqin sa më shumë vëmendjen, të krijojnë sa më shumë modë, dhe të bëjnë që njerëzit ta mendojnë përballjen e tyre të ardhshme si diçka që duhet ndjekur patjetër, si një gjë që do të ishte fatale nëse do të humbej. Jo më kot shumë nga “bestsellerët” (librat më të shitur) në histori janë një zhgënjim nëse i lexon shumë kohë pas dalldisë, ose të paktën të tillë që nuk e justifikojnë dalldinë.
Flojd Mejuedhër Xhunior dhe Konor Mekgregor duket se e arritën maksimumin e “kakofonisë” që mund të shkaktonin. Pas sharjeve, ofendimeve, talljeve dhe përbetimeve, ja ku vjen edhe njoftimi se dueli mes ish-kampionit të pathyer të boksit profesionist dhe yllit absolut të sotëm (gjithashtu të pathyer) të arteve të përziera marciale, do të zhvillohet në 10 qershor në Las Vegas. Më në fund! Secili prej tyre duhet të përfitojë nga 100 milionë dollarë, por mediat britanike shkruajnë se Mekgregor do të duhet të kënaqet me më pak. Kjo, pasi një pjesë të parave të tij do t’i marrë kampionati botëror i MMA-së të cilit ai i përket, UFC-ja.
Është zgjedhur data, vendi, por edhe mënyra e luftimit, që do të jetë jo kafazi i Mekgregorit, por dorezat e boksit dhe ringu i Mejuedhërit. Kjo e vë irlandezin në pozitë të vështirë, pasi ai nuk është një boksier i vërtetë, por të shikojmë se çfarë do të mund të bëjë.
Sfidanti.al