Polemikat për mantelin e Mesit, sikur nuk pati të tilla për qeleshen e De Biazit!

Kur Xhani De Biazi u prit në këtë mënyrë në Dibër, pati vetëm kënaqësi. Trajnerit të atëhershëm të Shqipërisë i vunë në kokë një qeleshe, të cilën ai e pranoi me kënaqësi, ashtu siç nuk ngurroi të vishte një kostum tradicional të vendit. Ndoshta, një ceremoni në stadiumin e Peshkopisë nuk ia vlen polemikat, por kur vjen puna te kurorëzimi i kampionëve të botës gjërat janë ndryshe. Mjaftoi që Emiri i Katarit t’i hidhte supeve Lionel Mesit një mantel, në çastin kur do të ngrihej lart trofeu, që debatet të shpërthenin në të gjithë botën.

Pati reagime pro dhe kundër, ku kritikat më të mëdha erdhën nga mediat perëndimore, sidomos britanike, me tabloidin “Deili Meil” apo “Gardianin” (The Guardian) që nuk e pritën mirë, duke theksuar se ajo veshje errësoi stemën e Argjentinën në fanelën e kapitenit. Edhe një pjesë e tifozëve ishin në këtë linjë, ndërsa Mesi e hoqi më pas veshjen e quajtur “Besht” nga arabët.

Nuk u duk shumë e shqetësuar gazeta kryesore sportive argjentinase, “Ole”, ndonëse theksoi se është hera e parë që kjo ndodh në një ceremoni të tillë. Reagim i paanshëm nga media e Gjirit Persik, “Al Xhazira”, që shpjegoi se veshja që quhet “Besht” vishet nga dinjitarët e rajonit në raste të rëndësishme dhe se është shekullore. Po ashtu, e përditshmja nga Tel Avivi, “Tajms of Izrael” (Times of Israel) bën një koment telegrafik për momentin e veçantë.

Duke u kthyer tek De Biazi, e duke bërë një krahasim me Mesin, ne shqiptarëve na pëlqeu ai moment, ashtu siç u ka pëlqyer ky tani tifozëve të Gjirit Persik. Vetë Mesi e harroi shpejt atë që ndodhi dhe e pati mendjen të festonte në autobusin e hapur në Doha, ndërsa besohet se do të kishte reaguar njësoj sikur të kishte qenë në Skoci dhe do t’i kishin veshur një fustanellë tradicionale të atij vendi.

Sfidanti.al