Nuk mundet as t’i krijojë dhe as t’i shuajë polemikat. Thjesht mund të tregohet i kujdesshëm, edhe pse nuk deshi të ishte i tillë. Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, e vë theksin më shumë tek aftësia e skuadrës së tij sesa tek ndihma arbitrale, ndërsa flet për shkëputjen e të vetëve në Serinë A. “Nuk janë episodet e gjyqtarëve që mund të ndryshojnë atë që ka bërë kjo skuadër deri tani, 23 fitore në 28 ndeshje, – u shpreh trajneri bardhezi, – nuk kemi rënë në grackën e polemikave deri tani, duhet thjesht të luajmë futboll”.
Alegri nuk i mori episodet me radhë, por ndaloi tek ndeshja ndaj Milanit, ku protestat e miqve ishin shumë të ashpra. “Të premten, – tha ai, – ishte një ndeshje shumë e bukur, nga ato ku dallohen qartë vlerat në fushë. Njëzet pikët e diferencës që kemi me Milanin u panë që të gjitha, dhe ishte ndër të paktat ndeshje Juve-Milan jo e ekuilibruar”. Pati fjalë edhe për sfidën ndaj Portos në Champions, ku Alegri nuk i beson plotësisht fitores 2-0 në Portugali. Ai thotë se futbolli nuk jep siguri, garanton se do të luajë Markizio, ndërsa Kielini është në dyshim, ndërsa ka balotazh Kedira-Pjaniç.
Sfidanti.al