Brozoviçi, nga cigaret e birra tek thyerja e rekordit të kilometrave në Botëror!

Në vitet 40-të të shekullit të kaluar, kur televizioni nuk ishte ky që është sot, dhe kur futbollit i merreshin vesh vetëm rezultatet në radio apo gazeta, ekzistonte një brez lojtarësh të River Plejtit që morën emrin “Makina”. Yll mbi yjet ishte Hoze Mauel Moreno, i shoqëruar nga Pedernera, Labruna, Lustau apo Munjoz. Moreno, një kokorroç me mustaqe, kishte qejf jetën e bukur, të pinte, të shkelje me këmbë orët e gjumit, të bridhte, të përqafohej e të puthte. Kjo nuk e pengoi të ishte Peleja i parë i futbollit, Maradona i parë dhe Mesi i parë.

Sot, Kroacia ka një “Moreno” krejt të vetin dhe ky është Marcelo Brozoviç. Mesfushori i Interit, edhe pse është 37 vjeç, mbetet në kulmet e karrierës ndonëse nuk ka edhe aq shumë respekt për jetën e rregullt e të disiplinuar që kërkon sporti profesionist. Janë të shumta fotot e tij me shishen e birrës pranë apo në dorë, dhe me cigaren e ndezur apo gati për ta shkrepur çakmakun. Një njeri “bohem”, por me një fizik të veçantë që ka përballuar gjithçka. Jo më kot, Brozoviç mban rekordin e kilometrave të vrapuara në një ndeshje të Kupës së Botës, me 16.7 km në 120 minuta, 400 metra më shumë sesa rekordi i mëparshëm që mbahej po nga ai, vendosur në gjysmëfinalen e Botërorit 2018 ndaj Anglisë. Edhe këtë herë ndaj Brazilit, “Brozo” i bëri 15.7 km ndonëse u zëvendësua në 114’.

Sfidanti.al