Milan pritet të humbasë më tepër sesa ndeshjen me Juventusin!

Ato që ndodhin në vende “okulte” është vështirë të zbulohen dhe të dënohen (ndonëse në 2006 u pa që mund edhe të dënoheshin), ndërsa ato që ndodhin hapur nën dritën e prozhektorëve apo nën vëzhgimin e kamerave, është shumë e lehtë të klasifikohen e të marrin një dënim. Milani që akuzoi gjyqtarin për favorizim të Juventusit në ndeshjen e fundit mes dy ekipeve në Serinë A, pritet të marrë disa ndëshkime.

Karlos Baka i pari nga të gjithë, pasi shfreu gjithë zemërimin ndaj gjyqtarit Masa, ndërsa u ndalua nga trajneri Montela dhe nga Galiani që të sillej edhe më keq. Sulmuesi kolumbian ishte zëvendësuar, por i zemëruar shkoi drejt arbitrit që dha penallti në minutën e 95-të. Përveç Bakës, rrezikojnë edhe portieri Donaruma (besohet për sjelljen në koridoret e stadiumit apo në tunel), De Shilio dhe Poli, ndërsa ndër drejtuesit mund të rrezikojë Galiani në emër të një dënimi për klubin.

Baka mund të dënohet minimalisht 2 ndeshje pezullim, ashtu siç ndodhi me Ikardin, ndërsa Montela, në ndeshjen e radhës në fushën e Xhenoas, nuk do të ketë as të pezulluarit Romanjoli e Soza. Për fat të keq ka edhe dëmtime, i fundit Suso, dhe Montela duhet të shpikë një formacion tjetër në stadiumin “Marasi” të Gjenovës.

Sfidanti.al