Bulku-Bushi e duan stolin e kombëtares, por Duka ka vetëm “dashuri italiane”!

E kemi thënë që italianët i kemi për zemër. Kështu vazhdojnë ndjenjat edhe në stolin e kombëtares, veçse për herë të parë pas kaq shumë vitesh ka një pretendim nga brenda Shqipërisë. Dy trajnerë vendas, Ervin Bulku dhe Alban Bushi, mësohet se kanë paraqitur kandidaturën e tyre të përbashkët për të drejtuar kuqezinjtë. Burime në FSHF bëjnë me dijë se këta janë të vetmit teknikë nga Shqipëria që janë në garë për ekipin përfaqësues, ndërsa kandidat tjetër shqiptar është Besnik Hasi.

Ish-kapiteni i kombëtares, me karrierë trajningu në Belgjikë, Poloni e Lindjen e Mesme, mëton gjithashtu të marrë postin e lënë bosh nga Edi Reja. Duke u kthyer tek Bushi dhe Bulku, ata janë trajnerë federate, siç mund të themi pasi drejtojnë përkatësisht Shqipërinë U17 dhe Shqipërinë U21, pra ekipin Shpresa. Jo vetëm kaq, por që të dy kanë qenë pjesë e stafit të Xhani De Biazit për disa vjet, madje edhe në Euro 2016, ndërsa Bulku 41-vjeçar e ka drejtuar kombëtaren në ndeshjen në fushën e Andorrës në 25 mars 2019, në fitoren 3-0 për eliminatoret e Europianit. Ndërkaq, favoritë për stolin kuqezi mbeten italianët dhe emri kryesor që përflitet është ai i Luixhi Di Biaxhos.

Sfidanti.al