Magjia e Mesit në Botëror vazhdon, Argjentina arrin në çerekfinale!

Ishte një fitore nën stres e nerva, përballë një Australie që nuk kishte klas për t’u krahasuar me prestigjatorët e topit nga Amerika Latine, por që kishte besimin, lirshmërinë, forcën fizike dhe atletike për të shkatërruar një festë që dukej e paracaktuar. Si shpesh herë në kupat e botës, një pretendente e madhe kaloi në raundin tjetër, por siç ndodh gjithashtu jo rrallë, Argjentinës iu desh të vuante deri në fund. Jo më kot është thënë se vetëm ata që dinë të vuajnë, dinë të fitojnë, siç bënte Gjermania në 1954, 1974, 1986 apo 1990, siç bënte Italia apo edhe ekipe si Argjentina e Maradonës.

Për fatin e atyre që duan futbollin e bukur, historia e Lionel Mesit në kupat e botës vazhdon, dhe njerëzit duan të shijojnë çdo sekondë të saj, pasi ajo do të përfundojë shpejt. Me gjasë, në fund të këtij Botërori nëse gjithçka shkon mirë dhe “gauçosit” arrijnë deri në finale. Mesi ishte sërish “zemra” dhe “truri” i ekipit të trajnerit Skaloni, duke shënuar në ndeshjen e 1 000-të në karrierë. Tashmë, ai ka 789 gola, si dhe mbi 300 asistë, i vetmi në historinë e këtij sporti me mbi 1 100 gola+asiste në karrierë. Publiku shijoi çdo driblim të tij, çdo prekje, çdo pasim, çdo gjuajtje e çdo ndryshim të ritmit, dhe thirri emrin e tij në kor duke e përhapur anembantë nëpër shkretëtirën e Katarit. Maradona do të ishte krenar për të, edhe Peleja, që ndodhet ndoshta në ditët e fundit të jetës. Trashëgimtari i tyre ende është në fushë. Argjentina fitoi me golat e Mesit dhe Alvarezit, ndërsa Australia shënoi me autogolin e Enzo Fernandezit. Në çerekfinale do të kemi një Holandë-Argjetinë.

Sfidanti.al