Anglia apo Uellsi, kush do ta fitojë derbin britanik në Botëror?!

Franca nuk ka mbetur e vetme. Pasi kampionët e botës e siguruan kalimin në raundin e dytë të Botërorit, me fitoren 2-1 ndaj Danimarkës, ato u ndoqën nga dy ekipe të tjera pretendente.  Fillimisht Brazili që mposhti dje pasdite 1-0 Zvicrën edhe pa Nejmarin, e më pas Portugalia që triumfoi në një duel të fortë në mbrëmje ndaj Uruguajit të fortë, edhe pse Kristiano Ronaldos nuk iu njoh goli, që iu dha Bruno Fernandesit. Sot mësojmë edhe 4 skuadra të tjera të kualifikuara për në raundin e dytë në Katar, ndërsa luhen ndeshjet e grupeve A e B.

Në grupin B janë duelet Uells-Angli dhe Iran-SHBA, që të dyja në orën 20:00. Derbi britanik sheh më të favorizuar anglezët që kanë 4 pikë në dy sfidat e para, dhe që kualifikohen edhe me barazimin, por gjithsesi trajneri Sauthgejt tregohet i kujdesshëm. Për më tepër, për “tre luanët’ ka pasur kritika, ndonëse ekipi nuk ka probleme me dëmtime, dhe kapiteni Kejn pritet të luajë.

“Është një rivalitet i fortë mes nesh,- thotë anglezi, – Pres të jetë një ndeshje fantastike futbolli, të cilën do të përpiqemi ta fitojmë. Ne jemi dy vende, dy ekipe kombëtare, edhe pse jemi brenda një shteti si Britania e Madhe. Uellsi është rival i rrezikshëm dhe duhet të japim maksimumin për të fituar”.

Uellsi, ndërkaq, ka nevojë për fitoren, por portieri Henesei nuk luan i pezulluar, ndërsa fitorja e fundit me Anglinë është arritur në 1984, pasuar nga 5 humbje radhazi. Kapiteni Bejl gjithsesi ka besim. “Natyrisht që ne jemi të zhgënjyer për lojën që kemi zhvilluar dhe për rezultatet, por nuk jemi dorëzuar, – tha ai, – Futbolli është i tillë dhe ne jemi ende në garë. Ne kemi besim. Përse Uellsi të mos e shkaktojë të papriturën ndaj Anglisë?”

Sfidanti.al