Kishte pesë ndeshje në “pit stop”, diçka që nuk i ndodh shpesh, por moshës nuk ke se çfarë t’i bësh. Një basketbollist në prag të 38-vjetorit si Lebron Xhejmsi u kthye më në fund në parket dhe ndihmoi ekipin që të fitonte. Nuk ishte një paraqitje e jashtëzakonshme, por gjithsesi mjaft e mirë që tregon se çfarë vazhdimësie ka ky njeri. Me 21 pikë, 8 topa në tabela, 5 asistë, 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, Lebroni ishte më i miri i Lejkërsave në fitoren 105-94 në fushën e San Antonios, por së bashku me Entoni Dejvisin që pati 25 pikë dhe 15 topa në tabela. Lebroni e kishte një “pikë të errët” pasi e humbi topin plot 9 herë. Ai vazhdon t’i afrohet rekordit të pikëve në NBA të Karim Abdul-Xhabarit duke qenë rreth 1 000 pikë prapa, ndërsa Lejkërsat synojnë t’i afrohen sa më shumë zonës së plej ofit, pasi për momentin ndodhen në vendin e 3-të nga fundi në Perëndim me vetëm 6 fitore e 11 humbje.
Sfidanti.al