“Mallkimi i Drejkut” godet edhe Alfonso Dejvisin e Kanadasë!

Ndoshta gjithçka filloi ende pa nisur ndeshja. Kanadaja doli në fushën e lojës për sfidën e Botërorit ndaj Begjikës e shoqëruar nga tingujt e këngës së artistit të njohur kanadez, Drejkut, “Ta nisësh nga fundi”.  Edhe pse luajti shumë mirë skuadra nga Amerika e Veriut humbi 0-1, dhe lojtari më i mirë, Alfonso Dejvisi i Bajernit, humbi një penallti. Pas humbjes, Dejvisi botoi në rrjetet sociale një foto me Drejkun duke i dhuruar një fanelë përpara nisjes së Kupës së Botës. Titujt mediatikë ishin menjëherë se Dejvisi dhe Kanadaja u bënë viktimat më të fundit të atij që në futboll cilësohet “Mallkimi i Drejkut”.

Drejk është një muzikant i njohur kanadez, e njëri nga më të mirët në të gjithë botën. Emri i tij i plotë është Obrej Drejk Graham, dhe që prej këtij viti është aksioner i Milanit në Itali, por takimi i yjeve të futbollit me të ka marrë nam të keq. Kështu i ndodhi Kun Agueros së Mançester Sitit, që bëri foto me të në 2019, dhe pastaj u eliminua në çerekfinalet e Championsit nga Totenhemi, e madje argjentinasi humbi penallti. Jo më pak mallkim për sulmuesin tjetër, Obamejang, që gjithashtu në 2019 takoi këngëtarin dhe pak ditë më vonë, Arsenali i tij u mund në fushën e Evertonit duke rrezikuar Championsin. Disfatën më të rëndë gjithsesi e pësoi adoleshenti anglez, Xhejdën Sanço kur ishte tek Dortmundi, sepse pas fotos me Drejkun, ekipi i tij u shkatërrua 5-0 në Mynih nga Bajerni duke iu shuar ëndrra për të luftuar për titullin në Bundesligë.

Sfidanti.al