Kombëtarja mund Armeninë, por nuk është një film me përfundim të lumtur!

Të paktën fundin e patëm të bukur. Vështirë që kjo kombëtare shqiptare t’i ngjajë një filmi me përfundim të lumtur, ku fiton heroi pozitiv, por gjithsesi pas 10 ndeshjeve pa fitore, ishte lehtësuese që më në fund morëm rezultatin maksimal. Shqipëria e Edi Rejës mundi 2-0 në miqësore Armeninë në “Arenën Air Albania”, suksesi i parë që nga fitorja 1-0 ndaj Andorrës në eliminatoret e Kupës së Botës thuajse një vit më parë, në 15 nëntor 2021. Xhuliano Skuka dhe Kristjan Asllani ishin autorët e golave në atë që mund të jetë ndeshja e fundit e trajnerit italian në stolin kuqezi.

I pari e festoi siç duhet debutimin si titullar me fanelën e përfaqësueses, një sinjal se edhe në Superligën shqiptare mund të gjesh talente. i dyti, mesfushori i Interit, shfrytëzoi një penallti të fituar nga lojtari tjetër i Partizanit, Cara, për të realizoi golin e parë me kombëtaren. Ndoshta i sjell fat edhe në Serinë A. Suksesi ishte si një ngushëllim pas humbjes 1-3 me Italinë gjithashtu në miqësore në “Arenë”, apo humbjes me Katarin në Spanjë dhe barazimit më Arabinë Saudite në Lindjen e Mesme. Tashmë, shpresojmë të jemi siç duhet në 27 mars, në përballjen e parë të Ligës së Kombeve në fushën e Polonisë, ndërsa trajneri i ri mbetet mister.

Shqipëri-Armeni 2-0 (Skuka 28’, Asllani 64’ (p)

Shqipëria: Berisha, Mihaj, Kumbulla (Bitri 67’), A. Bajrami, Hadroj (Hysaj 65’), Laçi (Ramadani 46’), Asllani, Çokaj (Bare 46’), Lenjani, Skuka (Muçolli 71’), Muçi (Cara 46’).

Sfidanti.al