Mbërritja e tyre u prit me interes dhe entuaziazëm. Argjentina jo më kot cilësohet si favoritja numër 2 për fitoren e Kupës së Botës, falë Lionel Mesit dhe yjeve të tjerë, ndërsa të mbiquajturit “gauços” kanë veçantitë e tyre në Katar. Kombëtarja nga Amerika Latine ka braktisur hotelin me 5 yje, që ishte parashikuar për ta, dhe ka zgjedhur një konvikt studentësh në Universitetin e Katarit. Kjo, sepse Mesi me shokë duan të kenë festa me zgara, pra barbeky, dhe këto mund të organizohen më lehtë në një ambient më të thjeshtë e më popullor si konvikti i studentëve. Padyshim, argjentinasit do të kenë të gjitha kushtet normale, edhe pse jo me luksin që parashikohet në raste të tilla.
Për më tepër, kombëtarja bardhekaltër ka marrë me vete që nga Argjentina gati 1 000 ton mish, diçka që e ka bërë edhe Uruguaji, pasi duan të ushqehen sipas mënyrës së tyre. Edhe tifozët argjentinas në Katar po e presin Kupën e Botës me festa me zgara. Gjithsesi, përtej veçantive dhe parashikimeve, dy herë kampionët e rruzullit kanë një shqetësim. A do të jetë gati Lionel Mesi të paktën për ndeshjen e parë të turneut, atë në 22 nëntor ndaj Arabisë Saudite. Kapiteni 35-vjeçar nuk u stërvit fillimisht me shokët, në seancën stërvitore dy ditë para hapjes së Botërorit, duke punuar në palestër, ndonëse u bashkua më vonë me ekipin.
Sfidanti.al