Po flasim për spektaklin në fushë, por edhe për çfarë ndodh jashtë saj. Finalet e Kupës së Botës janë jo vetëm turneu më i madh i futbollit histori, që ndiqen nga qindra milionë njerëz në të gjithë botën, por janë edhe rasti kur shfaqet më açik vesi i njerëzve për të fituar me anë të fatit. Kompanitë e specializuara parashikojnë që industria e lojrave të fatit do të thyejë çdo rekord, dhe se xhiroja e basteve për ndeshjet në Katar do të arrijë në 160 miliardë USD, ose rreth 136 miliardë euro. Sipas agjencisë “Sportradar”, që merret me bastet ilegale, çdo ndeshje në Botëror do të ketë rreth 1 miliardë USD baste. Kuptohet që fitimet pritet të jenë tepër të mëdha, ndërsa skedinat apo parashikimet direkt do të jenë nga të katër anët e botës.
Vetëm në SHBA, parashikohet që rreth 22.5 milionë njerëz të përfshihen në baste për Botërorin e Katarit, dhe të shpenzojnë rreth 1.8 miliardë USD. Ky është një rekord për këtë turne në tokën amerikane. Shumica e njerëzve pritet të luajnë onlajn apo edhe nëpër pika të caktuara ku do të jenë të pranishëm fizikisht. Turneu në Katar cilësohet si Kupa e parë e Botës ku do të jetë e mundur gjerësisht të vendosen baste sportive në mënyrë ligjore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sfidanti.al