Bilardo, Ermal Dyli i Teutës nuk ndalet, kampion i Shqipërisë edhe në “Disiplinën 10”!

Një tjetër aktivitet dhe duhet thënë me pjesëmarrje. Sporti i bilardos organizoi në Tiranë kampionatin kombëtar të Disiplinës 10, dhe në të cilin morën pjesë plot 46 sportistë nga mjaft qytete të vendit. Turneu u mbajt në Sallën e Bilardos në zonën e Kombinatit në kryeqytet dhe masiviteti bëri që konkurrimi të zgjaste për mbi 10 orë. Të pranishëm bilardistë shumë të mirë si Ermal Dyli i Teutës, Besmir Cufe i Flamurtarit, dy sportistët e rinj nga Laçi, Enea Shytaj dhe Mario Zaja, si dhe Donald Çela i Tiranës, Bledar Koçi i Partizanit, apo durrsakët e tjerë Erion Skopeci dhe Xhimi Belba. Në fund, kampion u shpall Dyli i Teutës që fitoi 7-2 finalen me vlonjatin Cufe, ndërsa pas tyre u renditën kurbinasit Shytaj e Zaja, që arritën deri në gjysmëfinale. Pak javë më parë, në Tiranë u organizua edhe Kampionati i Europës Lindore për variantin rapid, ndërsa në fund të nëntorit organizohet turneu mbarëkombëtar me sportistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Sfidanti.al