Antuan Grizman ka një arsye më shumë për ta dashur Barcelonën!

Nuk luan për kampionen e Spanjës, përkundrazi është rival me të. Antuan Grizman, gjithsesi, nuk mundet të mos e dojë fort Barcelonën pas heroizmit në Champions. Sulmuesi i Atletikos së Madridit, i intervistuar nga televizioni “La1”, nuk ngurron të vlerësojë lart atë që bënë djemtë e Luis Enrikes. “Në Francë të gjithë thoshin se Paris SG ishte në çerekfinale, – u shpreh Grizman, – Barcelonës i jepnin zero për qind shanse … por ishte një spektakël. Pikërisht për këtë gjë e dua kaq shumë futbollin”.

Sulmuesi i Francës foli edhe për të ardhmen e tij duke siguruar tifozët se është i lumtur tek Atletiko, i kënaqur me klimën, shokët e ekipit dhe trajnerin. “Jam mirë këtu dhe nuk kam përse të largohem”, – shprehet objektivi i Mançester Junajtidit. Po ashtu, Grizman është i sigurt për fatin e trajnerit Simeone: “Padyshim që do të vazhdojë tek Atletiko”!

Sfidanti.al