Gjokoviç nis mbrojtjen e titullit në Paris me mendjen tek Turneu i Yjeve!

Për momentin është numri i 6-të në botës, ndërsa ka qenë në krye të renditjes botërore për një numër rekord prej 373 javësh. Askush nuk është si Novak Gjokoviç në këtë element, ndërsa në turneun “Masters 1 000” në Paris objektivi i tij është që të mbrojë titullin. Raundi i parë nuk ishte edhe aq i lehtë ndaj amerikanit (me origjinë franceze) Maksim Kresi (2.01 metra shtatlartë). Rezultati 2-0 me sete, por 7-6 e 6-4, pra thuajse “në fije të perit”, ndonëse loja përcaktuese në setin e parë doli 7-1 për serbin. Nole ka arritur 26 fitore në 27 ndeshjet e fundit këtë vit (gjithsej, 34 fitore), ndonëse ka humbur 6 turne për shkak se nuk është i vaksinuar, përfshi edhe Australian Openin dhe US Openin. Gjokoviçi e ka fituar Paris-Bersinë 6 herë duke qenë rekordmen, dhe mund të ndeshet në gjysmëfinale me Nadalin, duke pasur bilanc 37-36 në turnetë Masters. Në total, Nadali ka 92 fitore në turne, ndërsa serbi 90. Synimi i vërtetë i të dyve sidoqoftë, është Turneu i Yjeve, apo Finalet ATP që nisin në 13 nëntor në Torino.

Sfidanti.al