Kujdes kur flisni nëpër intervista se jeni të patronazhuar nga përgjuesit e Superligës! Mos u bëni trima si trajneri Tetova, që doli nga skenari, kur tha se do flas me futbollistët për golin që pësuam se askush nuk kërceu me kokë! E dini se çfarë thuhet pas ndeshjeve nga aktorët e kësaj loje me stadiume bosh? Se është një kampionat i fortë dhe nuk i dihet fare se kush hipën sipër dhe kush “shtrihet” poshtë.
Të gjithë i thurrin lavde dy ekipeve që zotërojnë ilaçin që i vënë në “gjumë” të mëdhenjtë, Erzenit dhe Egnatias, dhe askush nuk e shpjegon dot “vdekjen” dhe “ringjalljen” e shpeshtë të Partizanit, Tiranës, Vllaznisë apo Kukësit..
E pyetën presidentin e Vllaznisë, Xhaferi, si ka mundësi që Vllaznia nuk e fiton dot ndeshjen me Erzenin edhe kur është me 2 gola në kryesim ? Si dhe herë të tjera, kasetën e kishte gati: “ Është kampionat i fortë dhe nuk ka emra të mëdhenj. Dua të përgëzoj Erzenin dhe Egnatian, madje edhe Bylisin që nuk i meriton pikët që ka..” E pyetën për Vllazninë, flet për të tjerët, gati mori arratinë !
Nuk është vetëm Xhaferi dhe Vllaznia që po tërbohen nga ky “kampionat i fortë”, pa frymë njeriu në stadiume, ku shpesh herë ndeshjet i përngjasojnë sportit teatral dhe tejet aktorial të keçit, ku një herë të pallon njëri dhe pastaj vjen radha e tjetrit…
Sfidanti.al