Është kthyer në një lojë, si i thuhet “çel e mbyll”. Lajmet për të ardhmen e stolit të kombëtares shqiptare janë nga më kontradiktoret, por gjithsesi kjo është krejt normale kur vendimet i merr një njeri i vetëm, dhe kur dyzimet e lëkundjet janë të shumta deri në finalizim. Thënë kjo, duhet të shtojmë se Edi Reja duket larg një riovimi të kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF). Burime shumë pranë presidentit Armand Duka theksojnë se Duka është menduar gjatë dhe se nuk ka dashur të nxitohet, por tashmë anon për një ndryshim. Nuk dihet se cili mund të jetë trajneri i ardhshëm i kombëtares, por mund të nxirret përfundimi se kontrata e Rejës nuk do të rinovohet muajin e ardhshëm.
Trajneri është sot 77 vjeç dhe pavarësisht se është mirë fizikisht dhe psikologjikisht, Duka mendon se ai e ka dhënë tashmë më të mirën për kuqezinjtë. Nuk dihet nëse veteranit të stolit mund t’i ofrohet një bashkëpunim në rol tjetër. Ndërkaq, tekniku i ardhshëm me shumë mundësi do të jetë i huaj, pavarësisht se Reja është shprehur se pasardhësi i tij mund të jetë edhe shqiptar. Kandidaturat vazhdojnë të jenë të panjohura, edhe pse padyshim që Duka ka pasur bisedime, ndërsa është folur për italianë e kroatë, që nga Di Biaxho deri tek Xhampaolo. Kjo gjë do të mësohet vetëm nga fundi i nëntorit, ndërsa Reja pritet ta drejtojë ekipin edhe në miqësoret e nëntorit ndaj Katarit, Italisë dhe Armenisë.
Sfidanti.al