Dje nuk pati rast për të shkëlqyer, por kjo nuk do të thotë se nuk po bie në sy. Armando Broja vërtet luajti vetëm nja 10 minuta në humbjen turpëruese të Çelsit në fushën e Brajtonit në Premier Ligë, por lajmet janë që interesimi për të po shtohet. Mediat amerikane dhe italiane, si televizioni ESPN dhe “kalçomerkato” shkruajnë se Atletiko e Madridit është klubi i radhës që hyn në garë për shërbimet e sulmuesit të kombëtares shqiptare. Broja, sipas tyre, mund të ishte një zgjidhje afatgjatë për repartin ofensiv të trajnerit Diego Pablo Simeone, ndërsa pritet largimi i portugezit Zhoao Feliks.
Atletiko është në krizë rezultatesh, sidomos në Europë, ndërsa Simeone shpreson të forcojë skuadrën për të qenë sërish në elitë në të ardhmen. Një ditë më parë, mediat angleze raportonin se Çelsi i kishte vendosur çmimin kartonit të Brojës, dhe flitet për 35 milionë euro, apo 30 milionë paundë stërlina. Trajneri Graham Poter e vlerëson sulmuesin 21-vjeçar, por gjithsesi mendon se ai edhe mund të sakrifikohet kundrejt pagesës së duhur. Për futbollistin kuqezi, interesimi kryesor duket ai i Milanit dhe anglezët e italianët besohet se kanë pasur disa takime, ndërsa verën e kaluar në garë ishte edhe Uest Hemi.
Sfidanti.al