Dëmtohet Abrashi, por Broja e Muçolli marrin vlerësime të larta!

Ka qenë protagonist, por jo gjithmonë me fat. Amir Abrashi mbetet shtyllë për ekipet ku luan, por pësoi dëmtim e Superligës zvicerane, Zyrih-Grasshopers. Kapiteni i Grashopersit e nisi ndeshjen si titullar, por doli nga loja në minutën e 25-të, duke qenë në dyshim për ndeshjet e ardhshme të kombëtares. Abrashi cilësohet “pitbulli” për shkak të karakterit të tij luftarak, ndërsa trajneri Reja do të donte ta kishte në dispozicion për sfidat ndaj Italisë dhe Armenisë. Gjithsesi, Reja ka në formë lojtarin që nuk e pëlqen edhe aq shumë, Armando Brojën.

Pasi fitoi penallti për Çelsin ndaj Mançester Junajtidit, sulmuesi 21-vjeçar mori vlerësime nga mediat në Britaninë e Madhe dhe në Europë. Tabloidi “San” (The Sun) i dha shqiptarit notën 7, ndërsa ai hyri në vend të Stërlingut, duke i dhënë meritën për fitimin e penalltisë. Një notë 6.5 edhe nga “tutomerkato.ueb” në Itali, duke e nxjerrë Brojën ndjeshëm mbi sulmuesin Stërling që ai e zëvendësoi.

Në Danimarkë, ndërkaq, Arbnor Muçolli e shënoi golin e parë këtë sezon. Futbollisti ofensiv i kombëtares realizoi në fitoren 3-1 të ekipit të tij, Vejle ndaj Hvidovres në kampionatin elitë, dhe vjen në formë për miqësoren ndaj Arabisë Saudite.

Një emër që tërheq vëmendjen është Shkëlzen Gashi. Ish-sulmuesi i dalluar i kombëtares, që ishte pjesë e ekipit në finalet e Euro 2016-ës, shënoi dy gola për Araun në ligën e dytë të Zvicrës. Shqiptari nga Kosova, që mban fanelën me numrin 10, i dha Araut epërsinë 2-0 ndaj Nojshatelit të Ksamaksit, ndonëse përfundimi ishte 2-2. Pavarësisht se mosha kalon, Gashi tregoi se nuk e ka humbur nuhatjen e golit.

Sfidanti.al