Derbi ishte i tillë që u duk se pohoi sërish hierarkinë siç ishte sezonin e kaluar, pra që Tirana ishte e para dhe Partizani pas saj. Gjithsesi, ky kampionat po tregon se dy ekipet kanë nisur një lojë me titull, “të lutem, fitoje ti kampionatin”. Tirana vërtet fitoi derbin, por ja kur humbi mbrëmjen e djeshme me Erzenin e Shijakut, që është bërë tmerri i skuadrave kryeqytetase. Një 0-1 që i dha më shumë kuptim fitores 4-1 të Partizanit në fushën e Teutës një ditë më parë. Tirana është një skuadër e tillë që humb në shtëpi me Vllazninë, fiton në Rrogozhinë me Egnatian, fiton edhe në Ballsh me Bylisin, por nuk ia del dot në shtëpi me Laçin (3-3) apo edhe tani me Erzenin, ndonëse kjo sfidë e fundit u luajt në Elbasan. Partizani, ndërkaq, fiton në Shkodër e në Durrës, fiton edhe në Kukës, por e dimë që gaboi me Kastriotin në shtëpi, si dhe ka bërë gafa të tjera. Nuk dihet se cili ekip do të jetë më i sjellshëm deri në fund, për t’ia lënë titullin tjetrit.
Sfidanti.al