Përse Lebroni dhe legjenda Karim Abdul-Xhabar nuk janë në raporte të mira? Për shkak të … Kovidit!

Vitin e kaluar ndodhi që Endrju Uigins deklaroi se nuk dëshironte të vaksinohej. Shoku i tij i ekipit, Drejmond Grin, tha se “nuk jam në pozicionin që t’i them (Uiginsit) që të vaksinohet”, qendrim që u përshëndet nga Lebron Xhejmsi. Gjithsesi, “efekti zinxhir” i ngjarjeve mbi njëra-tjetrën vazhdoi dhe kundër Lebronit doli Karim Abdul-Xhabari, një legjendë e Lejkërsave, ende sot e kësaj dite shënuesi më i mirë i sezonit të rregullt në NBA në të gjithë historinë. Këtë rekord, sipas të gjitha gjasave, Xhejmsi do ta thyejë këtë vit. “Lebronit duhet t’i vijë zor për postimet e tij, – tha Xhabari, – ai del kundër vaksinimit, dhe kjo ndikon në vonesën në rikuperimin tonë shëndetësor dhe ekonomik”. Duket se Lebroni nuk u ndje mirë nga këto fjalë, dhe kur u pyet tani sesi i ka marrëdhëniet me Xhabarin, dhe çfarë mendon për thyerjen e rekordit, u përgjigj “nuk mendoj aspak dhe nuk kam asnjë raport”.

Sfidanti.al