Natyrisht, nuk jemi në kohët kur një gjeneral apo një shef shtabi detyronte yjet e futbollit që të ktheheshin më këmbë nga Berati në Tiranë për një rezultat negativ, apo të vraponin nëpër Unazën e kryeqytetit sërish si ndëshkim. Gjithsesi, në futbollin bashkëkohor europian, kur vjen puna për një ekip të elitës, sjellja e drejtuesve të Juventusit ngjan jo pak me atë të Petrit Dumes në Shqipërinë e viteve 60-të apo 70-të të shekullit të kaluar. Skuadra juventine u ndëshkua që të shkonte në grumbullim, në izolim, pas humbjes së rëndë në Champions ndaj Makabit të Haifës. Gjithsesi, ndëshkimi u bë i plotë kur lojtarëve iu tha se pas udhëtimit prej 3 orësh e ca nga Izraeli, ata nuk do të ktheheshin në shtëpi, por do të shkonin direkt në kompleksin e klubit në Kortinasa. Aty do të jenë të paktën deri në ndeshjen ndaj Fiorentinës, por mund të jenë edhe më gjatë!
Sfidanti.al