Broja, më lehtë stampohet flamuri kuqezi tek Çelsi sesa në kombëtare!

Në stadiumin mitik nuk pati mundësi ta tregonte veten. Armando Broja ishte një yll i ri në stol për Çelsin që fitoi 2-0 në “San Siro” ndaj Milanit në Champions, por nëse do t’ia kishin dhënë mundësinë, ngjyrat e vendasve do t’i kishte pasur në këpucë. Vetë klubi i Çelsit ka botuar foton e këpucëve “Najk” të sulmuesit kuqezi, të cilat kanë të stampuar flamurin e Shqipërisë, pranë emrit dhe pranë logos së kompanisë prodhuese. Me këto këpucë, Broja është duke luajtur këtë sezon dhe pikërisht me to ai hyri në fushë të shtunën e kaluar në “Stemford Brixh”. Me gjasë ato i sollën fat sepse futbollisti 21-vjeçar shënoi golin e parë personal në Premier Ligë për Çelsin, fundjavën e kaluar. Shpresa është që ky fat të vazhdojë edhe në sfidat e tjera. Personalizimi i këpucëve është diçka që ndodh shpesh në futboll, ndonëse bie në sy më shumë tek yjet më të mëdhenj si Mesi, Ronaldo apo tani Haland e Mbape. Gjithsesi, Broja është për momentin talenti më i rëndësishëm i kombëtares shqiptare, e po ashtu një nga të rinjtë më të talentuar të futbollit anglez. Besohet se pas Premier Ligës, ai do të shënojë me këpucët e reja me flamurin kuqezi edhe në Champions, ku nuk ia ka dalë deri tani.

Sfidanti.al