Liverpuli la pas hallet e Premier Ligës dhe u kujtoi të gjithëve se mbetet “gjallë” me fitore 2-0 në Champions ndaj Gllazgou Rejnxhërsit. Trent Aleksandër-Arnold me goditje dënimi (7’) dhe Mohamed Salah (53’) me penallti siguruan fitoren aq shumë të nevojshme, ndërsa trajneri Jurgen Klop u detyrua të kënaqej me atë që ka, dhe jo me atë që mund të kishte pasur. “Ishte pikërisht gjëja për të cilën kishim nevojë, – tha tekniku gjerman, – patëm një skemë të re, një formacion të ri. U desh të ndryshonim disa gjëra. Patëm shumë raste, imagjinoni sikur të kishim shfrytëzuar më shumë se kaq. Natyrisht, do të jetë krejtësisht ndryshe javën e ardhshme në Skoci”. Liverpuli dominoi me 64 për qind mbajtje topi, me 23 gjuajtje ndaj 6 të skocezëve dhe 10 në kuadrat ndaj 2. Kornet ishin 13-1 dhe të kuqtë janë në vendin e dytë në grup në Champions.
Sfidanti.al