Ndodhi në Londër, edhe pse jo në arenën e Uimbëlldonit, ku ai mbetet rekordmen. Rozher Federer i dha fund karrierës së tij të mrekullueshme të tenisit në Arenën “O2” të kryeqytetit britanik, një ndeshje dyshe të Kupës Lejvër, ku luajti për herë të mbrame në krah të rivalit të tij të madh, Rafael Nadal. Dyshja europiane u mund nga dyshja amerikane e përbërë nga Xhek Sok dhe Frensis Tiafo, pas një dueli të fortë në sytë e 17 000 spektatorëve. Rezultati ishte 6-4, 6-7 dhe 11-9 për amerikanët, ndërsa Federeri nuk e humbi asnjë herë shërbimin. Në moshën 41-vjeçare, ai largohet nga sporti me lot në sy, por edhe me 20 Grand Sleme dhe me lojën më të bukur në krahasim me rivalët Nadal e Gjokoviç.
Sfidanti.al