Spanja mahniti Eurobasketin, trajneri Skariolo: Kisha besim tek skuadra!

Emri i kësaj skuadre është tepër i madh, por u mendua se lavdia kishte mbetur prapa bashkë me të shkuarën. Europiani i basketbollit për meshkuj që u mbyll në Berlin vërtetoi të kundërtën. Kurrë nuk mund të nënvleftësosh Spanjën, dhe “Furitë e Kuqe” i bënë të gjithë parashikuesit që të kafshonin gjuhën duke fituar titullin. Suksesi në finalen ndaj Francës në “Arenën Mercedes Benc” të kryeqytetit të Gjermanisë vërtetoi se iberikëve u shkojnë fjalët që Geri Lineker thoshte për gjermanët në futboll, pra që fitojnë gjithmonë. Rezultati ishte 78-73, me shkëputje të fuqishme që në fillim dhe përballim të yjeve francezë. Në një turne ku ishin yjet më të mëdhenj të NBA-së si Adetokumbo, Jokiç e Donçiç, fitoi kolektivi, dhe ekipi më i mirë ishte pikërisht Spanja e trajnerit italian, Serxho Skariolo. Me Skariolon, “Furitë e Kuqe” kanë fituar gjithçka, 4 Europianë dhe një Botëror.

“Sinqerisht nuk e mendoja fitoren, – tha ai, – gjithmonë kam besuar se kur punon fort mund të marrësh rezultate. Nëse luan basketboll të mirë ke gjithmonë shanse. Nuk kam dyshuar kurrë tek vlerat e ekipit, gjithsesi nuk ishim favoritët. Ne erdhëm si pretendentët e tetë në këtë kampionat dhe përfunduam të parët, në një turne ku kishte ekipe me superyje të NBA-së, me lojtarët më të mirë të sezonit në NBA. Jemi të lumtur që dolëm kampion në një Europian me nivel kaq të lartë”. Edhe lojtari më i mirë i Eurobasketit ishte një spanjoll, Huanço Hernangomez. Pas festuan si deshën, kampionët e kontinentit nuk u larguan nga kryeqyteti gjerman pa bërë vizitën në reliket e Murit historik të Berlinit. Edhe ata e rrëzuan këtë herë një Mur, atë të mosbesimit.

Sfidanti.al