Ajo që ndodhi ishte jo vetëm e shëmtuar. Një alarm i vërtetë u ngrit në Serinë A pasi Juventusit iu anulua një gol në fund të ndeshjes ndaj Salernitanës që mund t’i kishte dhënë fitoren. Një lojtar mik mbajti në lojë Bonuçin për të cilin u anulua rrjeta i gjykuar në pozicion jashtë loje, dhe tekonologjia në mënyrë të pabesueshme nuk e dalloi këtë gjë. Protestat ndaj VAR-it në Itali nuk janë aspak të pazakonshme. Fiorentina akuzoi për golin e shënuar nga Marko Arnautoviç i Bolonjës në humbjen 1-2 të javës së fundit. Leçe ndërkaq kërkoi dy penallti në sfidën ndaj Monzës, që përfundoi 1-1, dhe duket se ka të drejtë.
Kjo i ka detyruar klubet dhe drejtuesit e kampionatit që të mendojnë një zgjidhje dhe kjo quhet “pozicioni jashtë loje gjysmë automatik”. Kjo teknologji pritet të provohet në Kupën e Botës në Katar, ndërsa Seria A duket se do t’ia marrë në kthesë të gjithëve, pasi do ta provojë në tetor. Teknologjia dikton automatikisht kur një lojtar është jashtë loje, duke pasur një sensor tek topi dhe 12 kamera të dedikuara, ndërsa parashikohet që koha e shpenzuar nga VAR-i të zbresë nga 70 në 20 sekonda. Gjithsesi, në Itali ankohen se problemet me teknologjinë janë kthyer në një sëmundje.
Çfarë po ndodh? “La Gazeta delo Sport” raporton se ky është një problem thjesht italian, dhe shkaku është financiar. Seria A është në krizë financiare këta vjet, ndaj edhe vetëm ndeshjet kryesore filmohen me 18 kamera, disa të tjera me 16, ndërsa ato më pak të rëndësishme me vetëm 12 kamera. Kjo, sepse Seria A kursen 20 000 euro për çdo sfidë, që në një sezon do të thotë disa milionë euro. Një gjë e tillë nuk mund të imagjinohet në Premier Ligën angleze. Asnjë ndeshje nuk ka më pak se 18 kamera, ndërsa klubet në ishull janë tepër të fuqishëm duke shpenzuar mbi 2.4 miliardë euro për transferime këtë verë, pra as nuk mendojnë të kursejnë tek VAR-i.
Sfidanti.al