Mbretëresha Elizabeta II mbetet e pavdekshme në sport, i dorëzoi Anglisë Kupën e Botës në 1966!

Ishte shumë më e re atëherë, në moshën 40-vjeçare dhe prej 14 vitesh në krye të njërës prej dinastive më të vjetra të botës, asaj britanike (fillimisht angleze). Mbretëresha Elizabeta II, që u shua dje pasdite në moshën 96-vjeçare, e ka të lidhur në mënyrë të pavdekshme kujtimin e saj me sportin, e padyshim edhe me futbollin. Përveç garave të kuajve që ishin pasioni i saj, përveç dorëzimit të trofeut në Grand Slemin e tenisit në Uimbëlldon, apo pranisë në Lojrat Olimpike 2012 në Londër, monarkja do të mbahet mend e fiksuar nga kamerat dhe fotoaparatet duke i dorëzuar Kupën Zhyl Rime kapitenit të Anglisë, Bobi Mur. Ishte pasdite e 30 korrikut 1966 kur Bobi Muri u detyrua të fshinte baltën e terrenit nga duart për të mos bërë pis as Mbretëreshën dhe as trofeun e Kupës së Botës. Anglia fitoi ndaj Gjermanisë Perëndimore 4-2, në një finale me polemika për një gol të Xhef Hërstit, duke fituar trofeun e parë dhe të vetëm të madh të saj.

Sfidanti.al