Polemikat duket se nuk rreshtin në këtë ekip. Paris SG mund të cilësohet si dikur Bajerni, me epitetin FC Hollivud, dhe “telenovela” e radhës ishte lënia në stol e Nejmarit në sfidën e fundit në kampionatin francez në fushën e Nantës. Trajneri Kristof Galtie mori vendimin e çuditshëm, ndërsa braziliani ka qenë në formë të madhe, duke aktivizuar vetëm Mbapenë në krah të Mesit. Në prag të ndeshjes së Championsit ndaj Juventusit në Paris, Galtie ka hedhur poshtë se ka probleme në ekipin e tij, ndërsa iu dha dora e fundit përgatitjeve. Për fat, francezët nuk kanë probleme me dëmtimet, ndërsa lojtarë si Ramos, Mendes apo Sançez mund të kthehen në formacion pasi pushuan në fundjavë. Objektivi është të lihet pas zhgënjimi i elimimit të vjetshëm që në raundin e dytë të Championsit nga Reali i Madridit. “Juventusi është një skuadër e vështirë për t’u përballur në Champions, – thotë Galtie, – sepse ka përvojë të madhe. Më vjen keq për një lojtar shembullor si Di Maria që nuk mundet të luajë, por ata kanë edhe shumë të tjerë. Paris SG ka ambicien për ta fituar trofeun, por nuk mendoj se mund të cilësohemi favoritë. Ka 8-9 ekipe që mund të fitojnë”.
Italianët, ndërkaq janë përgatitur duke e ditur se kanë shumë mungesa. Di Maria, Pogba, Kieza, Shezni, Rabio, Ake dhe Kaio Zhorge janë të dëmtuar, dhe trajneri Masimiliano Alegri duhet të gjejë një mënyrë për të hedhur në fushë një ekip të fortë. Juvja udhëtoi drejt Francës e ndërgjegjshme se çfarë përfaqëson në Champions, por edhe sesa e vështirë do të jetë ndaj treshes Mesi-Nejmar-Mbape. “Do të jetë një ndeshje shumë e bukur, – u shpreh italiani, – mjaft e bukur për t’u luajtur. Së pari është një provë e madhe për djemtë dhe për mua. Sidoqoftë, objektivi ynë është që të kalojmë fazën e grupeve. Për mendimin tim do të na duhen 10 pikë për këtë, ndaj duhet të japim gjithçka në këto 6 ndeshje”. Barazimi 1-1 në Firence ndaj Fiorentinës, gjithsesi, nuk e ndihmoi aspak nga ana morale “Zonjën e Vjetër”, ndërsa kritikat në Itali për të besuarit e Alegrit janë të forta.
Sfidanti.al