Në fund të fundit nuk ka rëndësi se cili është tenori kryesor, nëse të gjithë dinë të këndojnë bukur. Barcelona e Ksavi Hernandezit po shfaqet si një orkestër apo si një kor i përsosur (deri tani), me përjashtim të barazimit ndaj Rajo Vajekanos. Në fitoren 3-0 në fushën e Seviljes, mediat spikatën Levandovskin, Kundenë, Rafinjën, por trajneri pati një tjetër emër. “Për mua, – tha Ksavi, – më i miri ishte Gavi. Ai është si një zemër e madhe, që ka këmbë. Jemi në moment të mirë, jemi përmirësuar, por do të jetë një garë e gjatë. Fitore e rëndësishme jashtë fushe, dominuam vetëm pas golit, ndërsa në 15’ e para e nisëm keq, pasi kishim nevojë për pushim”. Ksavi megjithatë e veçoi Levandovskin, “jo vetëm për golin, por për mënyrën sesi e dërgon përpara topin, sesi kontrollon ritmin, për vendimet që merr, lojtar fantastik që kupton gjithçka, që është lider, që i ndihmon të gjithë”.
Sfidanti.al