Nuk dihet nëse do të kenë aq shumë përkrahje kur të dalin në fushë. Futbollistët e kombëtares shqiptare do të jenë sërish në “Arenën Air Albania”, këtë herë në 24 shtator për sfidën ndaj Islandës në Ligën e Kombeve, ndërsa prania e publikut në tribuna do të varet edhe nga ajo sesi do t’i konsiderojnë tifozët çmimet e biletave të vendosura nga FSHF. Ky institucion ka publikuar pikërisht këto çmime, të cilat padyshim ndryshojnë në varësi të tribunës. Hyrëset më të lira do të jenë si gjithmonë ato pas porte me 750 lekë. Më pas, kostoja rritet ndjeshëm në 1 200 lekë, gjithashtu për tribunat prapa dy portierëve, ndërsa në tribunën përballë asaj kryesore, biletat do të jenë nga 2 000 deri në 3 000 lekë. Si përherë, më të shtrenjtat janë ato bileta të tribunës kryesore që rriten progresivisht nga 8 000, në 10 000 dhe në 15 000 për pjesën VIP.
Një tifoz reagoi në faqen zyrtare të Federatës në Fejsbuk me komentin, “të shohësh Islandën me gjysmën e rrogës mujore”, ndonëse në tribunën VIP nuk është ky raport. Kombëtarja ka dy ndeshjet e fundit të sezonit të Ligës së Kombeve, në 24 shtator në fushën e Izraelit, dhe në 27 të po atij muaji në “Arenë” ndaj Islandës. Kuqezinjtë kanë një barazim me islandezët dhe një humbje në Tiranë me izraelitët, kërkojnë ende vendin e parë, por mund të dalin edhe të fundit, ndonëse nuk do të zbresin në Nivelin B.
Sfidanti.al