Murinjo shpreson që Roma të mos e përsërisë pjesën e parë ndaj Juves!

Diagnoza e tij, si “mjek” me shumë përvojë, ishte krejtësisht negative. Vështirë që Zhoze Murinjo të gjente diçka të mirë në 45 minutat e para të Romës në fushën e Juventusit, ndërsa u ndje edhe shumë i stresuar, por edhe koka iu ul tepër poshtë. “Në pushim u thashë lojtarëve se më erdhi turp në pjesën e parë, – tha portugezi, – më erdhi turp që isha trajneri i tyre. Patëm fat, duhet ta pranojmë, sepse ata mund ta kishin mbyllur ndeshjen që para pushimit. Po lutesha që pjesa e parë të përfundonte vetëm me 1 gol diferencë”. Më pas, tekniku roman vlerësoi reagimin e ekipit që tregoi karakter. “Meritonim më shumë në pjesën e dytë, por barazimi është i drejtë”, – është përfundimi i Murinjos, që theksoi se u ndje mungesa e Zaniolos së dëmtuar (kthehet për 3 javë) që ka forcë fizike dhe aftësi individuale. Po ashtu, pret një sulmues të fortë si Beloti që do ta merrte skuadrën përpara e do të ndihmonte edhe Abrahamin.

Sfidanti.al