Luis Suarez është një qenie njerëzore që gabon dhe … kafshon!

Ndonjëherë njeriu të habit dhe të bën të besosh të kundërtën e asaj që shikon. Luis Suarez është një rast tipik, kur tani pas gati 3 vjetësh, rrëfen prapaskenat pas kafshimit që i bëri Xhorxho Kielinit në Botëror. “Unë e kisha të vështirë ta besoja që e kisha bërë një gjë të tillë, jo më ta thoja që e kisha bërë” – thotë sulmuesi uruguajan për gazetën katalanase, “Sport”.

Më tej, futbollisti i Barcelonës rrëfen se u ndje shumë keq pasi gënjeu gruan dhe fëmijët kur u pyet nëse e kishte bërë diçka të tillë. “Unë e lëndova Sofien (gruan) sepse e gënjeva, duke i thënë se nuk e kisha kafshuar Kielinin, – vazhdoi Suarez, – edhe unë ndihem shumë i vrarë shpirtërisht pasi fëmijët gjithnjë pyesnin se përse babi nuk luajti në ndeshjen pas Italisë apo në ndeshjet e tjera. Ndihem keq sepse unë nuk jam njeri i tillë, unë jam shumë i butë”.

Në një farë mënyre, Suarez pohon se i kishte dalë vetja nga kontrolli, siç i ndodhi në rastin e Ivanoviçit kur luante për Liverpulin apo kur ishte tek Ajaksi. Gjithsesi, uruguajani i ka thënë fëmijëve se “unë jam qenie njerëzore, dhe të gjithë ne gabojmë”. Pasi Suarez kafshoi Kielinin, gazetarët e morën në telefon të shoqen dhe e pyetën sesi sillej ai në shtëpi. Natyrisht, përgjigja ishte se futbollisti në shtëpi sillet shumë mirë.

Sfidanti.al