Në Angli thonë se Liverpuli po e ndjen shumë mungesën e Manesë

Vetë “i zoti i punës” thotë se transferimi i tij tek Bajerni në Bundesligë kishte nisur që kur luante për Salcburgun në Austri, ndërsa kishte ndjekur shumë ndeshje të bavarezëve, dhe ishte mësuar me zakonet e gjermanëve të jugut. Sadio Mane gjithsesi pati një etapë të ndërmjetme shumë të suksesshme 6-vjeçare tek Liverpuli, ku me të drejtë u bë një nga udhëheqësit e ekipit. Sulmuesi senegalez pati meritë të madhe në triumfet e të kuqve të Jurgen Klopit, duke fituar Championsin në 2019, Premier Ligën në 2020 dhe dy kupat në 2022. Tashmë ai është në Mynih dhe analizat që po bëhen nga mediat liverpulase theksojnë se në “Anfild” po ndihet shumë mungesa e tij. Pavarësisht se Luiz Dias, Mo Salah apo Daruin Nunjez janë lojtarë shumë të mirë, ndikimi i Manesë ishte i madh dhe do të duhet kohë që të zëvendësohet.

Sfidanti.al