Prova e parë ishte dëshpëruese. Rafael Nadal mund të jetë një kampion i madh dhe rekordmen i titujve Grand Slem, por tenisti spanjoll nuk është gjithnjë vetvetja. Në moshën 36-vjeçare dëmtimet kanë nisur të ndihen gjithnjë e më shumë dhe po e detyrojnë të mos jetë gjithmonë në nivelin më të lartë. Kështu i ndodhi edhe në Turneun e Sinsinatit në SHBA, ku u mund që në raundin e parë nga kroati Borna Çoriç. Disfata nuk ndodhi pa luftuar, përkundrazi, por pritej tjetër gjë përballë tenistit numër 152 të botës. Çoriç ia doli 2-1 dhe me rezultatin e seteve 7-6, 4-6 e 6-3. Kjo ishte ndeshja e parë e Nadalit që pasi u tërhoq nga Uimbëlldoni për shkak dëmtimi, dhe kuptohet që forma e tij nuk mund të ishte maksimale.
Gjithsesi, edhe rivali i tij kroat erdhi i dëmtuar që nga Uimbëlldoni, ndaj ky argument nuk qendron. Mbeten edhe vetëm 12 ditë që nga nisja e Grand Slemit të fundit të vitit, US Openit në Nju Jork, dhe sinjalet e alarmit janë të forta për Nadalin. Legjenda 36-vjeçare pritet ta ketë të vështirë të triumfojë në këtë gjendje, përballë rivalëve si Medvedev, Zverev, Qirios apo Cicipas, ndonëse Novak Gjokoviçi nuk lejohet të marrë pjesë duke mos qenë i vaksinuar ndaj Kovidit. Nadali ka 22 Grand Sleme në karrierë, që është rekordi botëror, por vazhdon duelin me Gjokoviçin që ka fituar 21.
Sfidanti.al