Arijanet Muriç, Bërnli merr portierin nga Kosova, specialist për pritjen e 11-metërshave!

Gjithë bota ia mësoi emrin në një mbrëmje të madhe përballë “tre luanëve”. Arijanet Muriç u bë një nga heronjtë e Kosovës duke i pritur penalltinë kapitenit të Anglisë, Harri Kejn, në ndeshjen e shquar që përfundoi 5-3 për shpikësit e futbollit. Djali që sot është 23-vjeçar ishte i njohur në ishull që më parë, pasi kishte qenë pjesë e ekipeve të moshave të Mançester Sitit, dhe i huazuar për disa vjet radhazi nga klubi anglez. Tashmë, Siti vendosi t’ia shiste kartonin tek Bërnli, në kategorinë e dytë në Angli, por gjithsesi në kontratë ka një klauzolë ku shkruhet se Pep Guardiola ka të drejtën për ta blerë përsëri në kushte preferenciale. Kjo do të thotë se trajneri katalanas nuk ka hequr dorë nga Muriç, i cili këta dy sezone ka shkëlqyer në Holandë dhe Turqi.

Edhe pse huazimi i parë tek Notingem Foresti, sërish në Angli, nuk shkoi mirë, shqiptari i Kosovës e tregoi veten në Superligën e Holandës me Vilemin, ku u bë titullar i padiskutueshëm duke e ndihmuar mjaft ekipin. Po kaq i mirë ishte edhe huazimi i sezonit të kaluar tek Superliga Turke. Muriç u bashkua me Adana Demirsporin, duke qenë sërish titullar i përhershëm e duke bërë pritje të rëndësishme. Tashmë, kthehet në Angli, edhe pse për momentin nga “porta e pasme”. Gjithsesi, një vit i mbarë me Bërnlin mund ta bindë Guardiolën që ta kthejë Arijanet Muriçin sërish në futbollin e madh të Premier Ligës.

Sfidanti.al