Partizani ka favorin e stadiumit në Gjeorgji, ndonëse Saburtalo ka luajtur 20 javë kampionat!

Përballja do të jetë e vështirë, por gjithsesi ka edhe lajme të mira. Partizani ka një favor, sado të vogël, për sfidën e parë të Ligës së Konferencës. Kundërshtari i të kuqve, ekipi nga Gjeorgjia, Saburtalo, nuk mundet të luajë në stadiumin e vet në kryeqytetin Tbilisi, ndaj do të detyrohet të zhvendoset në qytetin Gori, 60 km larg. Në këtë stadium, Saburtalo luajti edhe ndeshjen e fundit në shtëpi në kampionatin gjeorgjan, fituar 3-1 ndaj Samguralit. Siç shihet edhe nga pamjet filmike, prania e tifozëve është mjaft e vogël, ndonëse për Ligën e Konferencës ndoshta do të jenë më shumë.

Saburtalo mban vendin e pestë në kampionat pas 20 javësh, duke qenë 17 pikë larg vendit të parë dhe jashtë zonës europiane për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, fakti që e kanë nisur ligën dhe kanë luajtur 20 ndeshje, bën që gjeorgjianët të jenë në formë më të mirë sesa Partizani. Kryeqytetasit, nga ana e tyre, sapo kanë përfunduar fazën përgatitore në Slloveni ku janë stërvitur dhe kanë luajtur tri sfida miqësore ndaj ekipeve të Superligës vendase, Mura, Jadran i Dekanit dhe Maribor, duke arritur një fitore e dy barazime. Të kuqtë janë kthyer dje në Tiranë ku do të vazhdojnë përgatitjet për sfidën e parë europiane që luhet në 7 korrik në Gjeorgji.

Sfidanti.al