Një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive sapo filloi dhe synojmë podiumet. Lojrat Mesdhetare nisën në Oran të AlgjerisëCeremonia e hapjes u zhvillua mbrëmë, ndërsa Lojrat do të zgjasin deri në 6 korrik. Ekipi kuqezi merr pjesë me 29 sportistë, ndërsa Kosova me 39 e në gjatë parakalimit në stadiumin “Milud Hadefi” flamurin shqiptar e mbajti boksieri Alban Beqiri. Shpresat më të mëdha për medalje nga kuqezinjtë janë pikërisht me boksierin Beqiri, po ashtu me peshëngritësit Evangjeli Veli, Erkand Qerimaj e Briken Calja, gjimnastin Matvej Petrov, atleten Luiza Gega dhe me mundësit Abakarov apo Dudajev.
Alban Beqiri, medalist i bronzit në Botëror, pati menjëherë ndeshjen e parë duke fituar 2-1 ndaj turkut Nexhat Ekinxhi e duke kaluar në të tetat e finaleve. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë 26 shtete me 3 390 sportistë e do të konkurrohet në 24 disiplina të ndryshme sportive. Lojrat do të zhvillohen në dy arena të Oranit, në stadiumin “Milud Hadefi”, si dhe në disa salla sportive dhe në kompleksin olimpik, apo në kompleksin e tenisit dhe në qendrën e kalërimit. Lojrat e kaluara Mesdhetare u mbajtën në Taragonë të Spanjës në 2018, dhe ekipi shqiptar mori gjithsej 2 medalje, një të artë dhe një të argjendte. Kampione e Mesdheut u shpall Luiza Gega që triumfoi në garën e 3 000 metrave me pengesa për femra me kohën 9’27”73, ndërsa medaljen e argjendit e fitoi boksieri Krenar Zeneli.
Sfidanti.al